Gjashtë trajnerët e mëdhenj komandojnë në Angli, kush do të fitojë?!

Po ndodh ajo që pritej, gjashtë trajnerët e klubeve kryesore në Premier Ligë, janë në krye të renditjes, dhe konkurrimi është vërtet shumë i fortë. Antonio Konte i Çelsit, Jurgen Klop i Liverpulit, Pep Guardiola i Mançester Sitit, Arsen Venger i Arsenalit, Maurisio Poketino i Totenhemit dhe Zhoze Murinjo i Mançester Junajtid, janë “tufa e ujqërve” që duan të kapin “viktimën”, pra titullin kampion.
Mediat britanike bëjnë pyetjen dhe përpiqen të parashikojnë se cili do të rezistojë deri në fund? Që nga Poketino, që është më i riu (44 vjeç) deri tek Vengeri 67-vjeçar, të gjithë nuk duan që të dorëzohen.

Çelsi i Kontes kryeson, ndërsa Mançester Siti i Guardiolës cilësohet si skuadra me mundësitë më mëdha për shkak të lojtarëve në përbërje. Liverpuli i Klopit ka avantazhin që nuk luan në Europë këtë sezon.
Të gjashtë janë ndër trajnerët më të paguar, veçse kanë diferenca mes tyre. Guardiola dhe Murinjo kryesojnë këtë renditje me nga 15 milionë stërlina rrogë në sezon (rreth 18 milionë euro), më pas vjen Venger me 8.3 milionë stërlina, Klop me 7.5, Konte me 6.5 dhe Poketino me 5.5. Që të gjitha, janë rroga tepër të larta në profesionin e tyre. Me përjashtim të Poketinos të gjithë kanë fituar tituj. Murinjo ka dalë 8 herë kampion, Guardiola 7, Venger e Konte nga 4 herë, ndërsa Klop ka dy tituj, por të fituar e Dortundin ndaj Bajernit të plotfuqishëm, pra mund të cilësohen me vlerë shumë më të madhe.

Sfidanti.al