Marash Kumbulla ishte në fushë titullar, ashtu si Berat Gjimshiti për Atalantën në Ligën e Europës. Dy mbrojtësit e kombëtares morën fitore, por sidomos ishte e rëndësishme ajo për Kumbullën dhe Romën që ia dolën 1-0 në Holandë ndaj Viteshes së Arnhemit. Edhe pse vendasit patën më shumë iniciativë, sërish italianët triumfuan me golin e shënuar nga Sergio Oliveira në fund të pjesës së parë. Në 78’, Oliveira mori të kuq, por skuadra e Murinjos u mbajt duke hedhur një tjetër hap drejt finales së Ligës së Konferencës që do të luhet në 25 maj në “Arenën Air Albania” në Tiranë.
Një hap e bëri edhe Leisteri anglez që fitoi 2-0 në fushën e tij ndaj Renës franceze. Edhe pse trajneri Roxhers kishte bërë ndryshime në ekip kjo nuk pengoi që Olbrajton dhe Iheanaço të shënonin golat për fitoren e pastër. Fitore e thellë e Sllavias së Pragës në Çeki ndaj LASK Lincit të Austrisë, 4-1, por edhe e Fejënordit në Beograd ndaj Partizanit (5-2).
Rezultatet: Viteshe-Roma 0-1, Leister-Renë 2-0, PAOK-Gent 1-0, Partizan Beograd-Fejënord 2-5, Sllavia Pragë-LASK Linc 4-1, Bodo Glimt-AZ Alkmar 2-1, Olimpik Marsejë-Bazel 2-1, PSV Ajndhoven-FC Kopenhagen 4-4.
Sfidanti.al