Rikthimi i Flamurtarit, lajm i keq për FSHF-në

Me ngjitjen e Flamurtarit nga “Purgatori” në “Parajsë” pas 5 viteve të vështira për kuqezinjtë, në shtëpinë e FSHF me siguri kanë një motiv më pak për të qenë të lumtur këto kohë. Edhe pse momentalisht janë të zënë me punë të tjera si organizimi i evenimenteve ndërkombëtare, me siguri nuk ka kaluar pa u vënë re edhe lajmi i rikthimit të vlonjatëve mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Me siguri, shumë dinamika kanë ndryshuar në përplasjen e famshme Idrizi-Duka ku presidenti i Flamurtarit është bërë dukshëm më i matur në deklarata e qëndrime për të mos nxitur furinë e të madhit të FSHF-së që mesa duket ia ka dhënë edhe një shans pas “zborit” në të Parën ku gjatë sezoneve të fundit Flamurtari është pezulluar dukshëm edhe nga sjellja arrogante e xhaketave të zeza. Nën zë, në Vlorë e Tiranë, të gjithë e pranojnë që FSHF dhe Idrizi nuk do të puqen asnjëherë bashkë në një të mesme të artë dhe kjo mund të peshojë në fatin e kuqezinjve që gjithsesi, për momentin bëjnë mirë të shijojnë këtë sukses…sepse vetëm koha do të tregojë se sa vlerë do të kenë në Superiore.

Nga Pirro Bardhyli