Kur vjen puna për reklamë këta nuk janë socialistë, por janë specialistë. Le t’i referohemi fjalëve të pavdekshme të të ndjerit Pjetër Arbnori, kur vjen puna për veprimet për konsum të jashtëm që bëhen në Shqipëri. Në vendin tonë erdhën 8 atletë të rinj ukrainas (U20), të shoqëruar nga dy trajnerë, dhe Shqipëria u hapi dyert, diçka që duket krejt njerëzore për shkak të luftës që po ndodh në vendin e tyre.
Gjithsesi, kur dyert i hap një shtet që nuk e ka çarë kokën të ndërtojë infrastrukturë sportive për atletët dhe atletet e saj, një shtet që nuk ka asnjë pistë atletike në kryeqytetin Tiranë, kjo është e qartë si një reklamë për të fituar pikë në arenën ndërkombëtare. Është njëlloj si ai prindi që u jep fëmijëve ushqim për të mbajtur frymën, dhe ua shtron tavolinën të huajve, gjë që bëhet për opinion në “sheshin e fshatit”.
Atletët ukrainas ishin vërtet të tronditur kur mbërritën në Rinas. Ishin të lodhur nga rruga, ndërsa disa prej tyre ishin të shqetësuar për të afërmit e lënë në Ukrainë, siç thotë hedhësja e gjyles, Maria Strielec. “Unë jam nga Donjecku. – tha ajo, – jam nga një zonë shumë e nxehtë. Gjyshja ime vendosi të qendronte në shtëpi, nuk donte të largohej. Ajo është shumë e vjetër dhe nuk donte që të lëvizte nga vendi. Unë dua që të sjell prindërit e mi në Shqipëri sepse më pëlqen ky vend”.
Edhe Valentin Loboda, kërcyes së larti, ishte nga e njëjta zonë. “Unë jam nga rajoni i Donjeckut, nga një fshat i zones, – tha Valentini. Për fat, pranë fshatit tonë nuk ka pasur luftime, por familja ime rrezikohet nga hedhja e raketave. Jam i shqetësuar për njerëzit, por Federata vendosi që ne të vinin këtu. Shpresoj që me stërvitjen që do të bëj në Shqipëri, të përmirësoj rezultatin tim”.Atletët ukrainas janë parashikuar të qendrojnë në Shqipëri pa afat.
Sfidanti.al