Çështje kryeministrash, por edhe këtu dallohet sesa të lirshme e kanë dorën shqiptarët. Edhe pse Fatos Nano ishte gjirokastrit (të paktën kështu është thënë), ai nuk u kursye aspak kur premtoi 500 000 USD për kombëtaren e futbollit nëse fitonte ndaj Greqisë në shtator 2004. Skuadra shqiptare e drejtuar nga trajneri Brigel ia doli 2-1 ndaj kampionëve të Europës dhe i mori paratë e premtuara nga kryeministri socialist. Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i premtoi ekipit përfaqësues 500 000 euro nëse siguronte kualifikimin për në Kupën e Botës. Kjo nuk u realizua sepse maqedonasit e veriut (me 4 shqiptarë në formacion) u mundën 0-2 në Portugali. Premtimi i Nanos (i realizuar) ishte mjaft më i madh sesa ai i Kovaçevskit, edhe pse 500 000 euro, në kursin e sotëm bëjnë më shumë se 500 000 USD. Gjithsesi, nëse dollarët e atëhershëm do të ktheheshin në dollarë të sotëm, shpërblimi i Nanos do të ishte 750 000 USD. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar e premtoi shumën thjesht për fitoren e një ndeshjeje, ndërsa ai maqedonas e premtoi për finalet! Imagjino sesa do të kishte premtuar Nano nëse Shqipëria do të kishte pretenduar finalet e Kupës së Botës 2006.
Sfidanti.al