Reali vuan nga sindroma e madhështisë, si i vendoset Benzemasë klauzolë 1 miliardë euro?!

Ishte e ditur që do të ndodhte rinovimi dhe madrilenët arritën një objektiv të rëndësishëm. Karim Benzema është një nga lojtarët më të talentuar, një nga sulmuesit më të mirë dhe më modernë në botë, dhe presidenti Florentino Perez dëshironte me çdo kusht të vazhdonte ta mbante në ekip. Kjo ndodhi me sulmuesin francez që firmosi edhe për një vit tjetër deri në 2023, veçse askush nuk mund të priste që Reali të vendoste një klauzolë transferimi prej 1 miliardë eurosh në kontratën e tij. Një miliardë euro për një vit shtyrje duket si sëmundje nga madhështia. Benzema ka shënuar gati 300 gola në 560 ndeshje në “Bernabeu” ku ka mbërritur në 2009, duke fituar çdo trofe të mundshëm e duke qenë shënuesi i pestë më i mirë në histori për klubin. Lumturia e tij këtë vit u plotësua me rikthimin në kombëtaren e Francës, për të cilën shënoi 4 gola në Euro 2020.

Sfidanti.al