Magjia një ditë do të thyhej. E kush tjetër mund ta fitonte i pari Championsin dy herë radhazi, përveç Realit? Klubi më i madh i futbollit botëror vendosi gjërat në vend duke e kthyer finalen e shumëpritur ndaj Juventusit, në një lojë fëmijësh në stadiumin “Milenium” të Kardifit. Pikërisht në ishullin britanik, pikërisht aty ku ky sport lindi, Madridi tregoi edhe një herë se shtëpia e futbollit sot për sot është Spanja.
U desh të kalonin 25 vjet që nga krijimi i Kupës së re të Kampionëve, që një skuadër të mund ta mbronte titullin, dhe kjo e Zidanit meriton një lavdërim të madh. As Barcelona e Krujfit, Milani i Kapelos, Juventusi i Lipit, Mançester Junajtid i Fergusonit, Bajerni i Hicfeldit, vetë Reali i mëparshëm apo Barcelona e madhe e Mesit, nuk ia kishin dalë.
Juventusi, skuadër vërtet e madhe, nuk e përballoi dot presionin e jashtëzakonshëm të një finaleje. U mendua se formacioni i Masimiliano Alegrit madje mund të quhej edhe më i fortë sesa ai i Zidanit, por në këtë finale, zhgënjeu plotësisht. Pjesa e parë vërtet ishte e barabartë, por pasi spanjollët shënuan golin e dytë, gjithçka ndryshoi si me magji.
Çfarë ndodhi? Besohet se kampionët e mëdhenj madrilenë dhanë maksimumin pikërisht atëherë kur duhej, ndërsa juventinët jo vetëm nuk kishin emrat e Ronaldos, Benzemasë, Ramosit, Modriçit apo Krosit, por as nuk mund të ishin të barabartë në një ndeshje të hapur.
I duhet dhënë merita që i takon Zinedin Zidanit, një trajneri të cilit nuk iu besua kur mori detyrën, por që po tregon se kampionët nuk lindin, por krijohen. Reali pati në fushë pikërishtqetësinë e tij të jashtëzakonshme, cilësi që mund ta kenë vetëm profesionistët e vërtetë.
Me 12 Liga të Kampionëve, Reali shton edhe më tej rekordin e tij, ekipi me më shumë trofe në këtë kompeticion, duke iu larguar edhe më tej ndjekësit më të afërt, Milanit me 7, dhe Barcelonës, Liverpulit e Bajernit me nga 5.
Nuk mund të mos ishte pjesë e rekordeve Kristano Ronaldo, i pari që shënon në tri finale Championsi. Trofetë janë për Realin e tij, por besohet në fund të vitit, legjenda portugeze mund të barazohet me Mesin, duke fituar Topin e pestë të Artë në karrierë.
Sfidanti.al