Reali merr Xhud Belinghamin për mbi 100 milionë euro

Më në fund akordi u arrit. Lajmi i madh për tifozët e Realit erdhi sepse madrilenët kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Dortmundin për Xhud Belinghamin. Ylli 19-vjeçar anglez do të luajë në “Santiago Bernabeu” duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, ndërsa mediat europiane shkruajnë për një pagesë për kartonin që shkon mbi 100 milionë euro. Belinghami do të kalojë vizitën mjekësore gjatë kësaj jave, ndërsa rroga e tij do të jetë e lartë, por jo aq sa mund t’i jepte Mançester Siti. Gjithsesi, ylli ofensiv pranoi më mirë të vishte fanelën madrilene, për shkak të emrit të madh të klubit që cilësohet si më i madhi në botë.

Ai ishte një nga talentet më të kërkuar në tregun e futbollit, i cili pëlqehej nga Çelsi, Mançester Junajtidi, Liverpuli dhe Paris SG. Belingham vjen në “Santiago Bernabeu” në momentin kur nga skuadra “merenges” u largua një legjendë e madhe si Karim Benzema. Sulmuesi francez shkon në Arabinë Saudite pas 14 vitesh në Madrid, ku fitoi gjithçka dhe u bë njëri nga shënuesit më të mirë, ndërsa do të ketë një pasardhës të denjë. Reali synon të kthehet sa më shpejt në nivelet e larta, pas një sezoni jo edhe aq të suksesshëm. Skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti fitoi vetëm Kupën e Mbretit ndërsa nuk mbrojti dot titullin në La Liga dhe në Champions.

Sfidanti.al