Edhe pse u luajt në “Alfredo Di Stefano”, edhe pse fizikisht madrilenët ishin më mirë dhe moti me shi të dendur i ndihmoi, sërish El Klasiko ishte thuajse një monolog i sulmit të Barcelonës dhe i mbrojtjes së vendasve. Jo vetëm kaq, por në minutën e 83-të, katalanasve nuk iu dha penallti e pastër për përdorim të duarve në zonë të Mendisë ndaj Breithuejtit. Gjyqtari Manzano nuk sinjalizoi gjë, por më skandaloz ishte fakti që VAR nuk ndërhyri. Protestat ishin të ashpra dhe sollën dy kartonë të verdhë të Zhordi Albës dhe trajnerit Ronald Kuman.
Të dyja skuadrat luajtën fort dhe goditën nga dy herë shtyllat, si dhe patën raste të shumta, me anë të Vinisiusit, Valverdes, Marselos nga njëri krah, dhe nga Mesi, Zhordi Alba, Mingueza, Dembele, Ilaiç Moriba nga krahu tjetër. Barcelona mbajti topin mbi 67 për qind, duke qenë në 69 për qind në pjesën e parë, dhe dallimi ishte që katalanasit sulmuan, ndërsa Madridi luajti me kundërsulm edhe pse ishte në fushën e vet. Mediat katalanase shkruan se Reali u tregua shumë efikas në aksionet e tij, ndërsa Barcelona nuk pati fat. E përditshmja “AS” theksoi se Barça pati të drejtë që kërkoi penallti, ndonëse nuk u akordua.
Karim Benzema shënoi në 18’, goli i tij i parë pas 10 ndeshjesh El Klasiko, Kros dyfishoi nga goditja e dënimit, ndërsa Mingueza shkurtoi diferencën pas pushimit. Reali e Atletiko kanë nga 60 pikë, por ekipi i Simeones nuk ka luajtur ende, Barcelona ka 65.
Sfidanti.al