U kthye në ekip dhe premtimi nga të gjitha anët ishte se do të qendrojë. Tifozët e Juventusit u qetësuan nga klubi dhe nga vetë Kristiano Ronaldo se portugezi do ta mbante sërish të veshur fanelën kuqezi, të paktën edhe për sezonin e fundit të kontratës. Siç edhe dyshohej, mund të mos jetë kështu pasi mediat italiane japin lajmin se CR7-ta dëshiron të shkojë tek Mançester Siti. “Il Korriere delo Sporti” informon se Ronaldo ka udhëzuar agjentin e tij, Zhorge Mendes, që të bisedojë me Pep Guardiolën për të arritur një marrëveshje.
Edhe vetë Juventusi duket se është dakord, nëse Siti jep rreth 30 milionë euro për kartonin, dhe në këtë mënyrë “Zonja e Vjetër” do të shpëtonte nga rroga e Kristianos prej 31 milionë eurosh në vit. Në moshën 36-vjeçare ai nuk e ka problem të luajë me rivalët e Mançester Junajtidit, ku ishte për 6 vjet duke fituar thuajse gjithçka. Nyja e vetme në këto plane është tek fakti se Guardiola ka plane të tjera.
Trajneri i Sitit kërkon Harri Kejnin e Totenhemit, njëkohësisht kapiten i Anglisë, por ndoshta ky transferim mund të mos realizohet sepse presidenti i Spërsave, Daniel Levi, kërkon 150 milionë paundë stërlina për kartonin e tij. Siti është gati të japë deri 120 milionë. Kejn apo Ronaldo, e sigurt është që Guardiolës i duhet një sulmues klasi, siç e tregoi humbja e Mançester Sitit në fushën e Totenhemit në javën e parë të Premier Ligës.
Sfidanti.al