Sondazhet më të shumta, dhe shumica e mendimeve të analistëve apo yjeve të futbollit, konvergojnë në një pikë të vetme, atë që futbollisti më i mirë në botë, sot për sot, dhe pretendent për të qenë në “Olimp” me Pelenë e Maradonën, është Lionel Mesi. Kristiano Ronaldo, ndërkaq, vazhdon me rolin e tij si “sekser” të vetvetes, pra si “tellali” që shet në “pazar” emrin e tij.
“Diferenca ime me Mesin është se unë e kam fituar Championsin me klube të ndryshëm, – ishin fjalët e Ronaldos për “DAZN”-in, – unë isha shënuesi më i mirë i Championsit për 6 sezone radhazi. Nuk ka shumë lojtarë që e kanë fituar pesë herë Championsin, pra unë mund ta identifikoj veten me këtë kompeticion”.
Kristiano ka shënuar 126 gola ndaj 112 të Mesit në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka luajtur 162 ndeshje ndaj 135 të argjentinasit. Ai ka dhënë 45 asiste ndaj 31 të “Pleshtit”, që ka fituar 4 Champions me Barcelonën. Të dy lojtarët kanë nga 5 Topa të Artë. Gjithsesi, Mesi ka fituar më shumë trofe në total sesa portugezi, ndërsa ka mesatare më të mirë të golave dhe asisteve për ndeshje, gjatë karrierës.
Sfidanti.al