Pyetja që kapercen Spanjën : Ku ka shkuar klasi i “El Klasikos”?

Tifozët më të vjetër të futbollit, më saktë, ata që e kanë ndjekur futbollin para se të shfaqeshin Mesi dhe Rolando, i kujtojnë me një nostalgji të madhe ndeshjet e dikurshme mes Realit të Madridit dhe Barcelonës që ofronin në fushë spektakle të vërtetë, ku futbolli dhe mjeshtëritë futbollistike ishin në plan të parë, kurse loja e “pistë” në atë të fundit. Por, për fat të keq, tani, mbas daljes në shesh të rivalitetit mes dy futbollistëve më të mirë të botës, Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo, dhe tensionit në rritje mes vetë qyteteve të Madridit dhe Barcelonës, derbi i përjetshëm është shndërruar në spektaklin futbollistik më të keq në botë.

Të dy ekipet duan të fitojnë me çdo kusht, shpesh, duke përdorur edhe metodat më të ulta dhe “fintet” më të shëmtuara. Në vend të mjeshtrisë futbollistike, ne shohim në fushë aktrime të këqia, zënka e konfrontime dhe shkëmbime sharjesh të rënda. Në vend që të adhurojmë të dy legjendat që japin gjithçka nga vetja dhe që, pa diskutim, janë ndër futbollistët më të mirë në historinë e ftubollit, ne diskutojmë se cili ekip ka marrë më shumë penallti dhe kartona të kuq!

“El Klasiko” e fundit që ishte melhem për sytë, është zhvilluar, më 2005, kur të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokisnin në “Santiago Bernabe” mjeshtrin e madh brazilian, Ronaldinjo, ndërkohë që me ekipin vendas, atëkohë, luanin Kasijas, Roberto Karlos, Elgera, Ramos, Salgado, Garsia, Bekam, Zidane, Raul, Ronaldo dhe Robinjo. Ngjyrat e ekipit të Barcelonës i mbronin Valdes, Van Bronkhorst, Markez, Pujol, Oleger, Edmilson, Çavi, Deko, Mesi, Ronaldinjo dhe Eto. Ndeshja përfundoi 0-3 në favor të Barçës, por askush nuk u zemërua, pasi fitorja ishte e merituar dhe i gjithë publiku u çua në këmbë dhe përshëndeti mjeshtërinë e madhe të Ronaldinjos. Nuk kishte sharje e ofendime në adresë të gjyqtarëve, nuk kishte aktrime, nuk kishte kartona të kuq dhe zënka.

Që nga ajo kohë, nuk ka ndeshje “El Klasiko” pa kontraverse, ankesa, qarje, etj. nga ekipet, lojtarët e tifozët, si edhe zemërim të ndërsjhellë, pa emërtimet kuptimplota “UEFAlona” ose “UEFAdrid”, duke aluduar për të dy ekipet dhe “Penaldo” ose “Pensi”, duke aluduar për dy lojtarët kryesorë. Tifozët pështyjnë dhe shajnë, ndërkohë që gjyqtarët janë bërë figurat kryesore negative të ndeshjeve. Kush aktron më mirë, është edhe fitues. Po nuk ndryshuan gjërat, ne, asnjëherë, nuk do të shohim më një “El Klasiko” të mirë.

Sfidanti.al