Publiku në revoltë, “Bildi”: Pse federata e lidhi fatin e saj me Lëvin?!

Një mbledhje urgjente në … aeroplan nuk dha atë përfundim që solli shkarkimi po në … aeroplan i mareshalit Zhukov. Nëse Byroja Politike e Partisë Komuniste të BRSS-së vendosi largimin e atij që ishte në atë kohë ministër i mbrojtjes, samiti i nivelit të lartë në avionin çarter të kombëtares gjermane, pati rrjedhë të kundërt. Vendimi ishte po aq dramatik sa ai i 60 e ca viteve më parë, sepse shkaktoi një tronditje të madhe në opinionin publik: Joakim Lëv do të vazhdojë në detyrën e tij si trajner i “manshaftit”! Kjo edhe pas katastrofës 0-6 në fushën e Spanjës.

Kështu shkruajnë mediat gjermane, ndërsa bulevardeskja “Bild” i përvishet dy shefave në DFB, presidentit Fric Keler dhe menaxherit të kombëtares, Oliver Birhof. “Ata e kanë lidhur fatin e tyre me Lëvin, – komenton “Bildi”, – ne do ta kujtojmë me mirënjohje trajnerin për fitoren e Kupës së Botës në 2014 dhe për fitoren 7-1 me Brazilin, por opinioni mban mend dështimin në Kupën e Botës 2018 dhe humbjen 0-6 me Spanjën. Ishte e drejtë që pas 2018-ës Lëvit t’i jepej një shans, por ai nuk e shfrytëzoi, ndërsa finalet e Europianit janë vetëm 7 muaj larg”. “Bildi” shton se Lëvi është po aq fajtor sa dy drejtuesit, pasi do ta kishte mbyllur me dinjitet nëse do të kishte dhënë dorëheqjen. Gjithsesi, është e sigurt se ai do të jetë trajner i Gjermanisë edhe në Euro 2021. Pavarësisht, tërbimit mediatik, Federata gjermane mori një vendim tipik gjerman, pa u nxituar. i mirë apo i keq, do ta tregojë koha.

Sfidanti.al