PSG s’e çan kokën për Ligën, vlejnë vetëm milionat e Championsit

Kampionia e Francës e priti me stoicizëm vendimin e qeverisë së vendit të saj për t’i dhënë fund futbollit. Padyshim që ka qenë edhe e informuar që më parë, por gjithsesi kjo goditje nuk ishte aq e rëndë, sa do të kishte qenë anulimi, të themi i Premier Ligës. Paris SG njoftoi shpejt se do t’i luajë ndeshjet e mbetura të Championsit jashtë Francës, në një stadium neutral. Një hulumtim i thjeshtë i tabelës së të ardhurave të klubit të sheikëve të bind se vërtet shqetësimi nuk kishte pse të ishte shumë i madh.

E gjithë Liga e Parë e Francës merr në vit nga të drejtat televizive vetëm 200 milionë euro, një shifër e respektueshme, por tepër e vogël në krahasim me 860 milionë eurot në vit që u jepen 20 klubeve të elitës në Angli. E vërtetë që PSG-ja merr “pjesën e luanit” në këtë fond, por jo më shumë se 60 milionë euro në vit, ndërsa në Angli vitin e kaluar edhe skuadra që ra nga kategoria, Hadërsfildi, mori gati dyfishin e kësaj shume, mbi 110 milionë euro në vit (96.6 milionë paundë stërlina).

Sfidanti.al