PSG nis sot kampionatin, por sytë e tifozëve janë tek Championsi

E ka sërish “etiketën” e favoritit dhe nuk ka sesi të mos e ketë. U bënë vite që Liga e Parë e Francës nis dhe përfundon nën shenjën e Paris SG, edhe pse në 2021 e humbën nën drejtimin e trajnerit Maurisio Pocetino dhe nuk dihet nëse mund të ndodhë sërish kështu. Sfida e parë luhet sonte në  orën 21:00 në fushën e Klermonit, dhe kurioziteti është i madh për të parë ekipin e drejtuar nga trajneri i ri, Kristof Galtie. Fitorja 4-0 në Superkupën e Francës ndaj Nantës ishte një shenjë se ekipi gëzon shëndet të plotë,  dhe shpresohet që treshja e madhe Mesi-Nejmar-Mbape të jetë në lartësinë e duhur. Gjithsesi, publiku parizien më shumë është në pritje të shtatorit kur nis Championsi, pasi objektivi kryesor nuk është Liga e Parë që padyshim duhet të fitohet, veçse që konsiderohet si “bukë e djathë”, ndërsa duhet të arrihet më në fund suksesi në Europë.

Sfidanti.al