Pse vetëm Reali? Paris SG dëshiron të jetë klubi i ri i galaktikëve!

Në kryeqytet u mbajt Nejmari dhe nuk ishte gjë e vogël. Për Kilian Mbapenë besohet se do të diskutohet kontrata e re, ose do ta qendrojë gjithsesi këtë sezon në Paris. Përveç tyre, vjen portieri i kombëtares së Italisë, Xhixho Donaruma. Këtyre u shtohet ish-mesfushori i Liverpulit, Gini Vajnaldum, ndërsa në shënjestër thuhet se është Usman Dembele i Barcelonës. Al Helaifi, presidenti-sheik, ka ëndërr të madhe Lionel Mesin, ndërsa në vend të tij mund të marrë Kristiano Ronaldon, por gjithsesi imazhi i klubit do të rritej shumë. Dikur ishte Reali klubi i galaktikëve, dhe për të mos shkuar në vitet 50-të apo 80-të, le të kujtojmë Zidanin, Figon, Bekamin, Ronaldon, Roberto Karlosin, Raulin e Majkëll Ouenin, për të ardhur te Kristiano Ronaldo, Bejli, Benzema, Modriç, Kros, Hames Rodrigez, Ramos, Di Maria, Varan e Iker Kasijas. Sot është Paris SG që po ia zë vendin dhe kjo është arsyeja kryesore që presidenti madrilen, Florentino Perez, dëshiron Superligën Europiane, për të pasur shumë më tepër të ardhura dhe për të konkurruar me sheikët e PSG-së dhe Man. Sitit.

Sfidanti.al