Uimbeldoni ? As nuk krahasohen me biletat e “Uemblit”!

“Kur gjejnë, mirë bëjnë”, thotë populli, dhe kështu duhet thënë për disa tifozë në Angli (apo më saktë në Britaninë e Madhe), si dhe për autoritetet britanike që po ngjajnë si Taulant Balla që është kritik opozitar, ndërsa ndodhet në kolltukun e zv. kryeministrit. Çmimi i biletave për finalen e Kampionatit Europian, Angli-Itali, ka arritur deri në 54 000 paundë stërlina, që do të thotë mbi 60 000 euro. Natyrisht, flitet vetëm për një pjesë, por kudo në rrjet kanë “mbirë” faqe për biletat që i ofrojnë ato nga një minimum prej 5 000 paundësh, deri në 43 000. Autoritetet paralajmërojnë se këto mund të jenë bileta fallco, madje dikush ishte “peshkuar” me një biletë fallco prej 32 000 paundësh. Dakord, por a nuk i kanë mjetet autoritetet britanike që të kontrollojnë, ndalojnë dhe procedojnë të tillë piratë elektronikë? UEFA thotë se ata që blejnë bileta të tilla “mund të mos lejohen në stadium”. Nga e thëna, në të bërë është një det i tërë! Kështu është gjendja për disa bileta në Angli, dhe në krahasim me këtë, çmimet e restoranteve dhe shezlongjeve në Dhërmi duken “lule”.

Sfidanti.al