Eshli Barti brohoritet si Elizabet Kourt pasi i jep fund pritjes 41-vjeçare!

U duk sikur nuk do të ndodhte kurrë. Një teniste australiane në finalen e Uimbëlldonit po ngjante si “mbërritja e Mesisë”, apo si kalvari i hebrejve në shkretëtirë. Moisiu u kishte vendosur afat hebrejve të tij një periudhë 40-vjeçare për të harruar skllavërinë e Egjiptit deri në Tokën e Premtuar, ndërsa për Eshli Bartin nuk pati asnjë lloj afati. Tenistja australiane i dha fund pritjes 41-vjeçare të publikut të vendit të saj duke u bërë e para që kualifikohej në finalen e Uimbëlldonit, pas këshilltares së saj Evonë Gulagong Kouli.

Barti nuk është ndonjë “sensacion i ri” në tenisin botëror, pasi është 25 vjeç dhe është numri 1 i botës. Ajo e siguroi finalen e parë australiane që nga 1980-ta me fitoren bindëse ndaj tenistes gjermane Anzhelikë Kerber 2-0 me sete, 6-3, 7-6. Barti është fituese e Rolan Garosit në 2019 dhe finaliste e Australian Openit vitin e kaluar, por pas pandemisë pati shumë pak aktivitet. “Një muaj më parë as nuk e mendoja se do të arrija deri këtu”, – pranoi numri 1 i botës, që është vetëm 1.66 metra shtatlartë. Pasi kaloi problemet e saj të moshës kur ishte 18 vjeç, dhe u mor me krikit e lodhur nga udhëtimet e tenisit nëpër botë, ajo sot e ka gjetur veten dhe do të jetë favorite në finalen ndaj çekes Karolina Plishkova, ndonëse asgjë nuk është e sigurt. Vajza 29-vjeçare arriti finalen e parë të Uimbëlldonit në karrierë, dhe të dytën pas asaj në US Open në 2016.

Sfidanti.al