Do të jenë “ndeshje fantazmë”. Bundesliga bëhet e para nga 5 ligat më të mëdha europiane e botërore, që kthehet në fushë në kohën e pandemisë së koronavirusit, veçse vështirë se do t’i ngjajë spektaklit që jemi mësuar të shohim. Rreziku i madh nga infektimi ka bërë që Protokolli Sanitar të jetë me rregulla tepër të rrepta, që thuajse e denatyralizojnë futbollin.
Skuadrat vërtet janë në hotele, në karantinë, me nga një futbollist në çdo dhomë, por parashikohet që gjatë periudhës së ndeshjeve lojtarët të qendrojnë në shtëpi. Të mos dalin jashtë, mundësisht as për të blerë. Po ashtu, të respektojnë të gjitha rregullat e higjienës në çdo moment e në çdo vend. Stërvitja gjithashtu zhvillohet duke respektuar masat mbrojtëse, diçka që skuadrat e kanë mësuar sepse kanë javë që ushtrohen në fushë.
Mbërritja në stadium për vendasit këshillohet të bëhet me makinat personale. Në çdo rast, klubet janë udhëzuar të përdorin më shumë se një autobus për të ruajtur distancimin fizik. Ata do të bëjnë testime me tampon dy herë në javë, një prej të cilëve në prag të ndeshjes. Përcaktim strikt për ata që duhet të jenë në fushë gjatë takimeve, gjithsej 300 persona, 100 në fushë, 100 në tribuna, 100 në pjesën e brendshme apo të jashtme të stadiumit
Nga ata të fushës përcaktohen 5 arbitra, 22 lojtarë, 18 rezerva, 20 stafi teknik, 4 për kapjen e topave, 3 njerëz të higjienës, 3 fotografë, 4 mjekë, 4 1personel sigurie, 15 kameramanë dhe teknikë. Në tribuna do të jenë 23 gazetarë televizivë, të ndarë me perde qelqi. Vetëm lojtarët në fushë dhe treshja e arbitrave lejohen të mos kenë maska, të gjithë të tjerët e kanë të detyrueshme.
Topat do të dezinfektohen para dhe gjatë ndeshjes, ndërsa për lojtarët nuk do të lejohet shtrëngim duarsh. Rregullat në fushë përfshijnë që nuk duhet pirë nga shishja e shokut, nuk duhet festuar goli, po ashtu nuk duhet pështyrë. Mund të ketë kontakte vetëm me bërryl apo me këmbë, ndërsa i vetmi kontakt fizik i lejuar, do të jetë dueli në fushë. Të mos ketë takim mes lojtarëve kur të bëhen zëvendësimet.
Shqetësim më vete është në rast se do të ketë të infektuar. Nëse infektohet vetëm një lojtar, ai do të duhet të izolohet bashkë me familjen, por gjithsesi këtu mund të ndërhyjnë autoritetet vendore. Tek Dinamo e Dresdenit në Bundesligën e dytë pati dy të infektuar dhe organet përkatëse urdhëruan izolimin e gjithë skuadrës. Bundesliga nis të shtunën në orën 15:30, me pesë ndeshje, ku spikat derbi i Ruhrit mes Dortmundit e Shalkes.
Sfidanti.al