Është kuptuar me kohë që do të jetë një vit thuajse i zi. Jo vetëm kampionatet kudo në planet, por edhe çmimet individuale janë goditur ashpër nga epidemia e koronavirusit, aq sa FIFA vendosi të anulonte një ceremoni të famshme. Në 2020 nuk do të ketë ndarje të çmimeve për futbollistët më të mirë të botës, as për meshkuj dhe as për femra. Po ashtu, nuk do të ketë përzgjedhje të formacionit më të mirë të vitit, si dhe për të caktuar trajnerët më të mirë të sezonit, gjithashtu për të dyja gjinitë.
Në 2019, fitues dolën Lionel Mesi i Barcelonës dhe Argjentinës për meshkuj, e Megan Rapinou e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për femra. FIFA, mësohet se, po përpiqet të gjejë alternativa, pra që duke zbatuar rregullat për distancimin fizik dhe për mbrojtjen nga virusi, të arrijë të shpërblejë ata që do të dalin si më të mirët. Ndërkaq, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ceremoninë tjetër tepër prestigjioze, madje edhe më të vjetër, atë të Topit të Artë. Revista franceze “Frans Futboll” do të marrë një vendim, por me gjasë do të veprojë ashtu si edhe FIFA.
Sfidanti.al