Privilegjet e Nejmarit po shkaktojnë pakënaqësi tek Paris SG!

Nuk do të jetë e lehtë të ruhen ekuilibrat tek Paris SG. Gazeta franceze “Le Parisien” tregon për privilegje të rëndësishme që klubi po i bën dhe do t’i bëjë në të ardhmen Nejmarit, veçime që mund të krijojnë përçarje dhe tension.

Braziliani, i ardhur për 222 milionë euro nga Barcelona, ka të drejtën e dy fizioterapistëve personalë, brenda klubit, që punojnë vetëm për të, ndërsa futbollistët e tjerë duhet të mbështeten tek një apo më shumë fizioterapistë të përbashkët. Po ashtu, gjatë stërvitjeve, lojtarët parizienë e kanë të ndaluar të bëjnë ndërhyrje të ashpra ndaj Nejmarit, nga frika e klubit se mos dëmtohet investimi i madh.

Ajo që shkakton edhe më shumë acarim është privilegji që Nejmar të jetë i përjashtuar nga lodhja e detyrave të vështira në mbrojtje, diçka që nuk e siguronte dot tek Barcelona, ku i pari që kthehej në mbrojtje ishte Lionel Mesi. Një tjetër përjashtim për “Ney”-n është se ai mund të përdorë çanta të personalizuara, ndërsa lojtarët e tjerë duhet të kenë vetëm çanta me logon e PSG-së.

Vitin e ardhshëm do të arrijë kulmi i privilegjeve, pasi (sipas “Lë Parisienit”), është e përcaktar në kontratë që të gjitha penalltitë do t’i gjuajë pikërisht Nejmar.

Sfidanti.al