Premton Laporta, javën tjetër nis ndryshimi tek Barcelona

Këtë fundjavë përfundon kampionati dhe është momenti i duhur. Lidheni këtë me zbarkimin e Ksavi Hernandesit me 22 valixhe me vete nga Arabia Saudite në Barcelonë dhe ndoshta e kuptoni sesi mund të shkojnë ngjarjet në klubin e madh katalanas. Presidenti Zhoan Laporta sapo ka zgjidhur një nga gjërat më të vështira, duke marrë huanë prej 500 milionë eurosh nga banka e njohur “Goldman & Sahs”, është pranë zgjidhjes së problemit tjetër të madh, të ardhmes së Lionel Mesit, ndërsa duket se javën që vjen do t’i japë drejtim punëve në “Kamp Nou”.

Numri 1 i klubit ka deklaruar se ndryshimet do të jenë pas pak ditëve, me t’u mbyllur La Liga, dhe me gjasë Ksavi do të zëvendësojë Ronald Kumanin në stolin katalanas. Pakënaqësinë me trajnerin, Laporta e shprehu hapur ndonëse jo me emër. “Është e pashpjegueshme ajo që ndodhi javët e fundit, – tha ai, – Fituam kupën, por u eleminuam shumë herët nga Championsi, dhe e humbëm titullin në një mënyrë që unë nuk arrij ta shpjegoj. Një cikël ka ardhur në përfundim dhe ne po punojmë për rinovimin. Që nga java e ardhshme do të shikoni që do të merren disa vendime të rëndësishme. Duhet të punojmë fort që të ndërtojmë një ekip për të fituar La Ligën dhe Championsin”.

Sfidanti.al