Ishte e pritshme që nuk do t’i godisnin shumë fort, në radhë të parë sepse u duhen. Premier Liga angleze është kjo që është së pari falë skuadrave të mëdha dhe të tilla janë gjashtë rebelet që firmosën për të themeluar Superligën Europiane. Mançester Junajtid, Liverpul, Mançester Siti, Çelsi, Totenhemi dhe Arsenali. Këta ishin fajtorët e akuzuar nga 14 klubet e tjerë, por “seanca e trupit gjykues” përfundoi me një dëshim qesharak. Gjashtë klubet do të paguajnë së bashku 22 milionë paundë stërlina, që do të thotë 6.6 milionë paundë stërlina secili, një shifër e papërfillshme. E diskutueshme edhe klauzola për dënim tjetër nëse do ta provojnë sërish. Kjo klauzolë parashikon 25 milionë paundë stërlina gjobë secilit dhe -30 pikë në renditje nëse ringjallet projekti i Superligës Europiane. Nuk besohet se pronarët si Glejzërsat, Henri, Levi, Abramoviç, sheikët e Sitit apo Krënke i Arsenalit do ta kenë shumë problem, sepse fitimet do të ishin shumë të mëdha në krahasim me gjobën, dhe 30 pikë më pak në renditjen e Superligës nuk u hyjnë në punë, sepse Superliga do të jetë një garë e mbyllur, pa konkurrim për të hyrë në të.
Sfidanti.al