Kristiano bën 103, Portugalia i kujton Francës se kush është kampionia

Ishte miqësorja e fundit, testi gjeneral përpara nisjes së Europianit dhe luzitanët e kaluan me sukses. Portugalia mundi 4-0 Izraelin duke treguar se çfarë skuadre e fortë është, sesa potencial sulmues ka dhe sesa e vështirë është t’i shënosh gol. Nën drejtimin e trajnerit me përvojë Fernando Santos, iberikët nuk e patën problem kundërshtarin dhe dy gola u shënuan nga Bruno Fernandes i Mançester Junajtidit, një nga Kristiano Ronaldo (2-0) dhe një nga Zhoao Kanselo. CR7 arriti tani në 103 gola me përfaqësuesen, vetëm 6 gola më poshtë sesa rekordmeni botëror Ali Daei i Iranit. Me këtë sukses, portugezët sikur deshën t’u tregonin pretendentëve në Europian se janë edhe ata në garë për të mbrojtur titullin e fituar 5 vjet më parë në Paris. Portugalia e nis Europianin me Hungarinë në 15 qershor në Budapest, pastaj luan në fushën e Gjermanisë, ndërsa sfida e fundit është ndaj kampiones së botës, Francës.

Portugalia: Rui Silva, Pepe, Ruben Dias (Danilo Pereira 62’), Kanselo, Karvaljo (Sançez 71’), Bruno Fernandes, Neves (Mutinjo 63’), Bernardo Silva (Pedro Gonsalves 71’), Zhota (Andre Silva 46’), Ronaldo (Gedes 71’). Tr. Santos

Sfidanti.al