Prag Vijarreal-Liverpul, mrekulli spanjolle apo vazhdon marshimi anglez?!

Në pamje duket sfidë më e lehtë sesa ajo e nesërmja. Vijarreali pret Liverpulin në gjysmëfinalen e dytë të Championsit në orën 21:00, dhe fitorja 2-0 në ndeshjen e parë me gjasë ua ka siguruar anglezëve vendin në finalen e madhe. Po ashtu, epërsia e të kuqve të trajnerit Jurgen Klop ishte e plotë në stadiumin “Anfild”, madje shumë më tepër sesa e thotë rezultati. Anglezëve u mungon vetëm sulmuesi Roberto Firmino i dëmtuar, por kthehen Xhons, Cimikas dhe Origi, ndërsa Aleksandër-Arnold, Salah, Fabinjo dhe Tiago Alkantara u kursyen në fundjavë në kampionat. A mund të cilësohet detyra e përfunduar?

“Nëse do të isha më i ri, tani do të isha zemëruar shumë, – tha ai, – thjesht nga kjo pyetje. Padyshim që jo, pasi ka përfunduar vetëm pjesa e parë e duelit. Ne morëm rezultatin më të mirë të mundshëm nga ndeshja e parë, dhe do të përpiqemi të fitojmë përsëri, por duhet ta kemi të qartë se do të jetë shumë e vështirë. Këtë e dinim që në fillim. U kam thënë djemve që ta marrin shumë seriozisht”.

Vijarreali është në pozita më të vështira, dhe jo thjesht për shkak të humbjes së duelit të parë. Ekipit të trajnerit Unai Emeri i mungojnë Alberto Moreno, Jeremi Pino, ndërsa Gerard Moreno dhe Arno Danzhuma janë në dyshim. Gjithsesi, tekniku vendas nuk do t’ia dijë.

“Jemi të lumtur që luajmë këtë gjysmëfinale të Championsit, – tha spanjolli, – për 90 minuta do luajmë në shtëpi ndaj një ekipi shumë të fortë, më të fortit në botë, që është favorit. Liverpuli ishte më i mirë se ne në ndeshjen e parë. Tani është ndryshe pasi luajmë në fushën tonë. Ne jemi të qetë dhe me shpresë. Lojtarët janë mësuar të luajnë ndeshje të tilla dhe të provojnë çdo mundësi për t’ia dalë”.

Vijarreali mund të marrë zemër nga sukseset e raundeve të kaluara kur eliminoi gjigandë si Juventusi, e sidomos Bajerni.

Sfidanti.al