Kanë kaluar katër vjet e gjysmë që nga përballja e fundit. Kombëtarja shqiptare kthehet në Spanjë pas disfatës 0-3 ndaj “Furive të Kuqe” në sfidën eliminatore të Kupës së Botës 2018. Trajneri është po italian, veçse në vend të Panuçit në stol kemi Edi Rejën, ndërsa kundërshtari ka ndryshuar shumë. Kuqezinjtë luajnë miqësoren e sotme në orën 19:45 në stadiumin e Espanjolit në Barcelonë, me synim për të matur veten me një prej ekipeve më të mirë të botës. Reja e ka përcaktuar skemën dhe formacionin, e duket se nuk do të ketë vend për eksperimente. Në portë pritet Strakosha, treshja e mbrojtjes nuk ndryshon, ndërsa në mesfushë i besohet përvojës së Gjasulës, Bares e Laçit. Në sulm mendohet dyshja Broja-Cikalleshi. Kombëtarja nuk ka Mihajn, Nedim Bajramin, po ashtu Amir Abrashin.
Për mbrojtësin Ivan Balliu është një ndeshje e veçantë, jo vetëm sepse luan në La Ligë, por edhe sepse debutimin në kombëtare e bëri pikërisht ndaj Spanjës në tetor 2017. Edhe për mesfushorin Keidi Bare është sfidë jo si të tjerat, pasi do të luhet në stadiumin e ekipit të tij, Espanjolit. Bare bën shaka me mediat spanjolle duke thënë se të gjithë mendonin se ai kishte bërë të mundur organizimin e kësaj ndeshjeje. Spanja nuk ka portierin De Gea, po ashtu edhe kapitenin Sergio Buskets, ndërsa sulmuesi i Espanjolit, Raul de Tomas, është i dëmtuar. Gjithses, trajneri Luis Enrike ka një ekip të jashtëzakonshëm me lojtarë si Pedri, Gavi, Ferran Torres, Erik Garsia, Laporte apo Morata. “Shqipëria është një rival serioz, ndaj duhet impenjimi maksimal për t’ia dalë, – tha tekniku iberik në konferencën e shtypit, – respektoj shumë trajnerin Reja dhe lojtarët shqiptarë. Nëse gjërat në Botëror shkojnë keq, do të largohem dhe nuk do të ndodhë asgjë”. Shqipëria është ndeshur 7 herë me Spanjën dhe ka pësuar 7 humbje, duke shënuar vetëm 2 gola e duke pësuar plot 29.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Strakosha – Ismajli Gjimshiti Kumbulla – Balliu Bare Gjasula Laçi Hysaj – Broja Cikalleshi.
Sfidanti.al