Morali është i ulët dhe atmosfera nuk pritet aq e nxehtë. Kombëtarja shqiptare do të luajë sonte në 20:45 ndaj Islandës, ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve, ndërsa humbja në Izrael ka dëmtuar jo pak. Tifozët nuk besohet të jenë të shumtë në “Arenën Air Albania”,e nuk dihet nëse trajneri Edi Reja do të ketë forcën për të motivuar lojtarët që të arrijnë rezultatin e vetëm që na bën sado pak punë, fitoren. Kuqezinjtë janë në vendin e fundit në grup, dhe do të përpiqen të paktën të lënë pas Islandën, përderisa Izraeli është i paarritshëm. Me këtë synim, tekniku 76-vjeçar do të bëjë ndryshime në skemë dhe në përbërje të skuadrës.
Moduli pritet të jetë ai klasiku për të, 3-5-2, me Gjasulën që kthehet në mbrojtje. Në mesfushë mund të jetë treshja Abrashi-Ramadani-Bajrami, ndërsa në krah Balliu dhe Lenjani në vend të Hysajt. Në sulm, Cikalleshi është titullar në krah Myrto Uzunit, që zë vendin e Armando Brojës. Pavarësisht momentit të keq, Reja ka besim. Shqipëria barazoi 1-1 në Islandë duke i bërë nisje të mirë edicionit të Ligës së Kombeve, por më pas erdhën dy humbjet me Izraelin. Gjithsesi, kombëtarja nuk bie në Nivelin C dhe për këtë e ndihmon përjashtimi nga grupi i Rusisë.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Strakosha, Ismajli, Gjasula, Veseli, Balliu, Abrashi, Ramadani, Bajrami, Lenjani, Uzuni, Cikalleshi.
Sfidanti.al