Ishte njëri nga meritorët më të mëdhenj që Italia u kualifikua për në fazën finale të Ligës së Kombeve. Xhixho Donaruma është kritikuar jo pak për paraqitjet e tij me hope tek Paris SG, por gjithsesi me kombëtaren është gjithnjë një garanci. Portieri titullar i Të Kaltërve bëri disa pritje shpëtimtare në Budapest ndaj Hungarisë, sidomos 3 të tilla radhazi në një moment. Kjo ndihmoi Italinë që të fitonte 1-0 dhe të kalonte në gjysmëfinale bashkë me Holandën e Kroacinë. “Për pritjet e mia duhet të falenderoj Nënën Natyrë, – tha Xhixho, – është diçka natyrale. Jam i lumtur që u kualifikuam, por tani duhet ta fitojmë trofeun”.
Sfidanti.al