Prag Napoli-Milan, vendasit për titull, por kuqezinjtë duan mbijetesë për Champions!

Nuk është një sfidë për titull, por gjithsesi pritet me shumë interes. Napoli-Milan është gjithmonë njëra nga ndeshjet kryesore të Serisë A, dhe këtë sezon merr një nuancë të veçantë, me të kaltrit që thuajse janë shpallur kampionë, dhe me kuqezinjtë që duan patjetër rezultat për të luftuar për zonën Champions. Kjo është nisja e dueleve mes dy rivalëve, që do të luajnë edhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Do të luhet që nga ora 20:45 në stadiumin “Maradona”, me Napolin që është favorit jo vetëm për formën dhe renditjen, por edhe sepse ia doli ta fitojë përballjen e parë 2-1 në “San Siro”. Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti nuk do të ketë sulmuesin kryesor, Viktor Osimhen, një goditje e rëndë, por pjesa tjetër e lojtarëve është gati.

Spaleti komenton mungesën e yllit të sulmit. “Padyshim mungesa e Osimhenit peshon shumë, – thotë ai, – Është e kotë që të bëjmë sikur nuk e kuptojmë. Gjithsesi, jam dakord me fjalët që ka thënë Pioli, që Napoli ka ditur ta përballojë edhe në të kaluarën mungesën e sulmuesit kryesor. Të gjithë lojtarët e tjerë kanë dhënë diçka më tepër që në fushë të shihej i njëjti Napoli”. Milani, ndërkaq, nuk do të ketë Zllatan Ibrahimoviçin e dëmtuar, si me Mesiasin e Kalulun, por Zhiru kthehet të paktën nga pezullimi. Trajneri Stefano Pioli thotë sesi i ka motivuar lojtarët e tij.

“Gjatë ndërprerjes së sezonit u thashë lojtarëve se nuk ka ndryshuar asgjë, – deklaroi tekniku, – Edhe vitin e kaluar, dy muaj para përfundimit të sezonit, askush nuk vinte bast për ne, edhe pse po bënim gjëra të mëdha. Edhe tani, kur duhen dy muaj deri në fund të sezonit, shumë pak njerëz besojnë tek ne. Pak besojnë se mund të fitojmë me Napolin apo që mund të kalojmë çerekfinalet e Championsit. Gjithçka varet nga ne”.

“Il Korriere delo Sport” flet për një kampionat të nxehtë, pas fitores së Juves e humbjes së Interit: Sonte, Napoli përballë Milanit! “Il Korriere delo Sport” për habi i jep duelit një vend të vogël, ndonëse thekson se është vizitë prej Championsi, dhe natë prej ethesh! Napoli kryeson Serinë A me 71 pikë, ndërsa Milani ka 48 dhe rrezikon të mos kualifikohet në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al