Prag Milan-Inter, kush do ta fitojë derbin përcaktues për titullin?!

Kur u ndeshën herën e kaluar nuk pati tifozë në stadium. Milan-Inter nuk pati emocionet që pritet të jenë sot në “San Siro”, por për zikaltërit që kishin në atë kohë Lukakun dhe trajnerin Konte, ndjenjat ishin të fuqishme me fitoren 3-0. Kanë kaluar vetëm 8 muaj dhe Seria A do të ketë sonte një tjetër derbi të Lombardisë. Milani i trajnerit Stefano Pioli kryeson bashkë me Napolin me nga 31 pikë. Interi, disi më ndryshe, ka mbetur 7 pikë prapa, e ndoshta po vazhdon përshtatjen me trajnerin e ri, Simone Inzagi.

Milani i ka disa probleme. Rebiç dhe Florenci kanë lënë pas dëmtimet, po ashtu si Balo-Ture, kurse Mesias është i vetmi që mungon për dëmtim. Teo Hernandez, ndërkaq, është i pezulluar. “Derbi është gjithnjë derbi, një ndeshje historike, prestigjioze, – thotë Pioli, – është një ndeshje ku ke kënaqësi të jesh, por që duhet ta fitosh. Kemi arritur të pushojmë disi pas një periudhe shumë të ngarkuar, por, po kështu ka qenë edhe për Interin. Jemi përgatitur për ta luajtur mirë këtë derbi”.

Zikaltërit nuk kanë asnjë problem, as me dëmtime, dhe as me pezullime, dhe trajneri Inzagi ka vetëm vështirësinë që të zgjedhë formacionin e duhur. Xheko-Lautaro priten titullarë në sulm, ndërsa Barela, Brozoviç e Perishiç i mbështesin nga mesfusha. “Jemi përballë një ndeshjeje tepër të rëndësishme, – thotë Inzagi, – të gjithë e dimë rëndësinë e derbit. Me këtë sfidë i japim fund një periudhe tepër të ngarkuar prej 7 ndeshjesh, që e nisëm keq duke humbur me Lacion, por duke fituar 5 e barazuar 1 tjetër. Kam besim se do t’u japim kënaqësi tifozëve”.

“La Gazeta delo Sport” bën jehonë: Plot me derbi! Në kopertinë janë Ibra e Xheko, si dhe tribunat e mbushura me tifozë. “Il Korriere delo Sport”, pasi flet për fitoren e Juventusit me Fiorentinën, e quan derbin vendimtar për atë që do të luftojë për titull! Plot 57 000 tifozë priten në “San Siro”, maksimumi i kapacitetit të lejuar, ndërsa ndeshja transmetohet direkt në 150 vende të botës.

Sfidanti.al