Prag Liverpul-Vijarreal: A mund të cilësohen anglezët favoritë?!

Historia e përballjes mes tyre nisi 6 vjet më parë. Jurgen Klopi e humbi finalen fillestare në stolin e Liverpulit, i mundur nga kolegu i tij, Unai Emeri, që ishte në drejtimin e Seviljes dhe skuadra spanjolle bëri të vetën trofeun e Ligës së Europës. Dy trajnerët do të jenë sërish përballë, tashmë në gjysmëfinalen e Championsit, me ndeshjen e parë që luhet sonte në orën 21:00 në “Anfild”. i dyti duel anglo-spanjoll pas atij Siti-Real të martën. Klopi e kujton ende finalen e humbur përballë Emerit.

“Kisha disa kohë që nuk kisha menduar për atë finale, – tha gjermani, – Pas asaj humbjeje, i thashë vetes se do të ktheheshim sërish dhe më të fortë, dhe ne ia dolëm. Kam shumë respekt për Unai Emerin, ai është një trajner i klasit botëror dhe Vijarreali kaloi Juventusin dhe Bajernin. Ai di të përgatitet për çdo lloj ndeshjeje, ndaj do të jetë një gjysmëfinale e vështirë, dhe as nuk mund të mendohet nënvleftësimi”.

Liverpuli ka qenë në formë këtë sezon në Champions, me 6 fitore në grup dhe me kualifikimet ndaj Interit të Milanos dhe Benfikës. Gjithsesi, edhe më shumë ka bërë Vijarreali, pasi ka eliminuar radhazi gjigandë si Juventusi apo Bajerni i Mynihut, diçka që as nuk pritej të ndodhte. “Çdo ekip që arrin në gjysmëfinale e meriton, – thotë Emeri, – ne e dimë se Liverpuli na respekton. Po flasim për një skuadër të madhe padyshim, por ne kemi treguar se kemi qenë në gjendje të konkurrojmë me skuadra të mëdha si Juventusi dhe Bajerni. Ata e dinë se do të jetë ndeshje e vështirë dhe se duhet të luajnë në 100 për qind në “Anfild”. Gjithsesi, mendoj se Liverpuli do ta ndjejë veten favorit, sepse kjo është diçka natyrale”.

Dy ekipet vijnë në formë të ndryshme në këtë përballje. Liverpuli nuk ka asnjë mungesë, ndonëse Firmino mbetet në dyshim. Vijarreali, ndërkaq, pritet të mos ketë 3 lojtarë tepër të rëndësishëm si  sulmuesit Gerard Moreno e Jeremi Pino, si dhe mbrojtësi i majtë, Albert Moreno.

Sfidanti.al