Prag Inter-Milan, a do ta thyejnë zikaltërit mallkimin e Serisë A?!

Zikaltërit e kanë fituar duelin e paravë, por kush mund ta gjejë sesi do të përfundojë ai i fushës. Në Serinë A luhet sonte në 20:45 derbi Inter-Milan, në prani të 75 000 tifozëve dhe me përfitim prej 5.8 milionë eurosh për zikaltërit, ndërsa beteja është për shumë më tepër se kaq. Me Napolin të shkëputur luftohet për Champions, dhe një humbje do të ishte goditje për sezonin. “Derbi i frikës, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – luftë bërrylash për Championsin. Zikaltërit mund të shkëputen, kuqezinjtë duan parakalimin”. i njëjti titull edhe për “Tutosportin”: Milano, derbi i frikës! Komenti është se sfida rrezikon sezonin dhe se në lojë janë 50 milionë euro

Zikaltërit janë në momentin më të mirë të paktën përsa i përket mungesave. Vetëm Korrea është jashtë për dëmtim, ndërsa trajneri Simone Inzagi mund të zgjedhë formacionin më të mirë. Ai megjithatë thekson një problem të madh që Interi ka hasur në këto duele Serinë A. “E dimë që derbi është një ndeshje shumë e ndjerë prej të gjithëve, – thotë ai, – Do të na duhet mendja e kthjellët dhe zemra. Jemi gati për të dhënë gjithçka në fushë. Kemi luajtur shumë derbi, në kupë kemi fituar dhe kemi marrë trofe, por në kampionat kemi pasur zhgënjime dhe kemi bërë gabime. Duhet të kemi përqëndrimin e duhur”.

Ndryshe nga rivalët, Milani ka mjaft mungesa. Portieri Menja, Florenci, Ibrahimoviç, Tomori dhe tani edhe Benaser janë të dëmtuar. Për më tepër, trajneri Stefano Pioli mendon të ulë në stol sulmuesin më të mirë që ka, Rafael Leaon, që ka pasur probleme me drejtuesit pasi refuzon rinovimin e kontratës. Pioli ka një mesazh për lojtarët e tij. “Këtë ndeshje e kemi përgatitur duke pasur parasysh ndeshjet tona të fundit, përfshi këtu edhe finalen e Superkupës, – u shpreh ai, – Kishim kohë pa pasur një javë të tërë për të përgatitur ndeshjen dhe kemi punuar fort këto ditë. Është e njëjta datë si ajo e derbit të vjetshëm. Gjithsesi, pavarësisht simbolikës, mendoj se kemi përpara vetes një shans të madh”. Interi jepet favorit, ndonëse derbi në Serinë A është i vështirë të parashikohet.

Sfidanti.al