Goli emocionues i Sebastian Halerit, kthimi nga kanceri në Bundesligë!

Mbërriti me ëndrra të mëdha, por thuajse i ndodhi më e keqja. Sebastian Haler vuri këmbë në Dortmund pasi për të iu paguan Ajaksit afërsisht 35 milionë euro, veçse nuk qe e thënë që ai të vazhdontë karrierën normalisht. Një vizitë rutinë mjekësore zbuloi se sulmuesi nga Bregu i Fildishtë kishte kancer në testikuj, dhe jo vetëm që ai e ndërpreu futbollin, por edhe nuk dihej sesi do të përfundonte kjo betejë. Për fat, gjithçka shkoi mirë dhe Haleri u kthye në fazën përgatitore dimërore, duke shkëlqyer në ndeshjet miqësore, siç ishte ajo ndaj Bazelit. Pak ditë më parë, bëri debutimin tepër emocionues në sfidat zyrtare, në ndeshjen e Dortmundit në fushën e Augsburgut në minutën e 62-të.

Gjithsesi, emocionet arritën kulmin këtë fundjavë kur Sebastian Haler jo vetëm që ishte në fushë, por edhe realizoi në fitoren 5-1 të Borusias ndaj Frajburgut. Ky ishte goli i tij i parë për ekipin, diçka që nuk po ndodhte që nga korriku. “Po e prisja këtë gol që nga dita e parë, – tha ai, – Pasi shënova m’u duk sikur po fluturoja. Jo vetëm shokët e mi të ekipit, por i gjithë stadiumi kishte marrë zjarr”. Besohet se Haleri do të jetë shëndoshë e mirë tani e tutje, dhe se Dortmundi do të luftojë për titull këtë sezon, falë edhe golave të tij.

Sfidanti.al