Thuajse nuk u bën më përshtypje. Kur thua xhudo dhe Kosova, mendon medaljet e arta olimpike, europiane dhe botërore, por edhe të turneve të ndryshëm të mëdhenj. Pasi Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova u bënë kampione olimpike në Tokio, 5 vjet pas të paarritshmes Majlinda Kelmendi, sukseset vazhduan. Më i fundit ishte në Grand Slemin e Parisit, turneun e parë të madh të vitit, ku sërish Distria Krasniqi bëri krenare veten, Kosovën e padyshim gjithë shqiptarët. Xhudistja më e mirë e kategorisë së saj triumfoi në peshën deri 52 kg duke i mundur të gjitha rivalet e madje lehtë.
Pasi kaloi pa problem raundet e para, Krasniqi mundi francezen Amandinë Bushar, edhe pse vajza vendase pati gjithë mbështetjen e publikut. Në finale, 27-vjeçarja pati përballë kundërshtaren kryesore, hungarezen Reka Pup, por nuk la asgjë në diskutim. Mediat europiane të specializuara për xhudon e vlerësuan paraqitjen e saj një kryevepër, ndërsa Krasniqi krijoi epërsi që në fillim dhe ishte e paprekshme në çdo lëvizje. Objektivi i Krasniqit është një titull i dytë olimpik, që do të ishte i paprecedentë sepse do të realizohej në një peshë tjetër.
Ajo ka 6 fitore dhe vetëm një humbje ndaj hungarezes, ndërsa në këtë turne fitoi medaljen e dytë të artë. Majlinda Kelmendi arriti deri në 5 të arta, ndërsa xhudistet e Kosovës kanë marrë thuajse çdo vit medalje që nga 2012-ta. Në Paris morën pjesë 520 garues nga 82 vende të botës, ndërsa për Kosovën ishin edhe Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.
Sfidanti.al