Të zotët e shtëpisë do të donin ta nisnin me këto pamje. Nëse Interi e Juventusi ndeshen sonte në mbrëmje në “San Siro”, ora 21:00, dy ekipet e tyre Shpresa u përballën më herët dhe zikaltërit patën një stërtriumf, plot 5-1. Trajneri interist, Antonio Konte, e di mirë se kjo nuk do të luajë ndonjë rol në duelin më të madh të sezonit në Serinë A, përveçse do të kënaqë tifozët, ndaj po i përgatit të besuarit e tij për shkallën më të lartë të vështirësisë.
Përtej vlerësimit të Interit si kryesues i kampionatit, si ekipi më i mirë i momentit dhe me trajnerin më ambicioz në Itali, Konte e ka të qartë se çdo të thotë Juventus, sesa shumë duele të tilla ka luajtur “Zonja e Vjetër” dhe sesa vendimtare mund të jetë historia dhe titujt e panumër fituar nga bardhezinjtë.
Nuk dihet sesa mund të ndikojë humbja e parë e sezonit, ajo në fushën e Barcelonës në Champions. Konte ka shumë pak probleme me mungesat, pasi ka vetëm Aleksis Sançezin të pezulluar. Shqetësimin më të madh, përveç kundërshtarit, e ka nga sjellja e tifozëve juventinë që kanë kërkuar heqjen e yllit të Kontes nga stadiumi “Alianc”, përderisa ish-trajneri i Juventusit shkoi tek Interi.
“Do të jetë e vështirë, – deklaron Konte, – të dyja skuadrat janë në formë shumë të mirë, jemi dy ekipet kryesues të kampionatit. Deri tani ne kemi qenë më mirë se të tjerët, por gjithsesi jemi vetëm në javën e 7-të, dhe sezoni është i gjatë. Vetëm fundi do ta vendosë kush do të dalë i pari, ndërsa duhet të presim për të parë se cilat do të jenë ambiciet dhe objektivat tona. Është privilegj të jesh pjesë e një ndeshjeje të tillë, dhe mezi presim që ta luajmë. E gjithë bota do ta ndjekë, ndaj ne nuk duhet të zhgënjejmë, sidomos duhet të kënaqim tifozët tanë”.
Nëse Konte ka si imazh Romelu Lukakun, që besohet se do të luajë pasi kaloi dëmtimin, Sarri i përgjigjet së pari me Kristiano Ronaldon. Portugezi udhëheq një skuadër yjesh, me lojtarë tepër të fortë që nga porta, mbrojtja, mesfusha e sulmi.
Kampionët zgjodhën të bënin një seancë stërvitore të hapur për publikun dhe mediat, si një nxitje në prag të duelit të madh. Trajneri bardhezi do të ketë disa mungesa në “San Siro”, si Kielini, De Shilio e Danilo, ndërsa Dagllas Kosta mbetet në dyshim.
“Do të luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë, dhe që gëzon shëndet të mirë, – u shpreh Sarri, – Interi është i kompletuar, shumë i rrezikshëm dhe që nuk dorëzohet kurrë. Nuk ka favoritë për këtë ndeshje, është e kotë të bësh parashikime, pasi përballë janë dy kundërsharë shumë të fortë. Është emocion i madh të dish të luash një ndeshje të tillë. Dua që të bëjmë një paraqitje të denjë në “San Siro”, nuk dua që të shohim tabelën e renditjes”.
Jehona mediatike është siç i takon Derbit të Italisë. “La Gazeta delo Sport”: Inter-Juve, një majë e stuhishme! Konte me Lukakun në fushë ndez pritjen: Nuk di pse u ktheva, është sport jo luftë! Sarri i hedh benzinë zjarrit: Sfidë e madhe, por për titullin ka zero rëndësi, jemi ende në tetor!
“Il Korriere delo Sport” e krahason me lojën e shahut dhe figurën e mbretit: Do të mbetet vetëm 1! Në foton e madhe, Konte e Lukaku, dhe Sarri e Ronaldo! Inter-Juve, vendos kush komandon Italinë!
Interi jepet lehtësisht favorit për të fituar, ndërsa barazimi cilësohet si rezultati më pak i mundshëm në Derbin e Italisë.
Sfidanti.al