Prag Barcelona-Man. Junajtidit, një përballje Championsi në Ligën e Europës!

Një përballje e tillë i takon Championsit. Emri dhe forma e një Barcelone dhe e një Mançester Junajtidi janë të tilla që nuk e meritojnë Ligën e Kampionëve, por sonte dueli klasik i kontinentit do të jetë pikërisht në këtë nivel. Në stadiumin “Kamp Nou”, dy gjigandët pritet të japin spektakël ashtu siç kanë bërë shpesh në histori, ndërsa janë në momentin më të mirë të sezonit. Katalanasit janë përgatitur me më shumë qetësi, duke qenë 8 pikë para Realit në renditjen e La Ligës. Trajneri Ksavi Hernandez ka fatin që mungesat do të jenë vetëm dy, pikërisht Dembele dhe Buskets. Yjet e tjerë si Levandovski, Pedri, Gavi, Zhordi Alba, Fati apo Arauho janë të gjithë të gatshëm. Ksavi e vlerëson lart kundërshtarin.

“Do të jetë një ndeshje e madhe, një spektakël futbolli për të gjithë. Të dyja skuadrat arrijnë në formën e tyre më të mirë. Trajneri Ten Hag e ka ndryshuar ekipin e tij dhe po bën një punë të shkëlqyer. Mançester Junajtidi ka lojtarë të mëdhenj, ka armë të fuqishme kundër nesh. Pres një ndeshje me ritëm të lartë dhe luftarake, siç ndodh me skuadrat angleze”.

Mançester Junajtidi luan në Ligën e Europës për faj të sezonit të kaluar të dobët, ndërsa aktualisht, po rreshton fitoret në Angli, dhe shpreson edhe në kontinent. Sidoqoftë, në seancën e fundit stërvitore trajneri Erik Ten Hag u desh të merrej me mungesat e shumta. “Djajve të kuq” nuk u përgjigjen në apel 7 lojtarë, 5 të dëmtuar dhe dy të pezulluar, por Sanço, Kasemiro, Bruno Fernandes, Rashford e Varan janë aty ashtu si edhe i riu Garnaço.

“Barcelona është një skuadër e madhe, në një formë të madhe. Ka një mbrojtje shumë të fortë, gjithashtu është shumë e aftë në zotërimin e topit. Kjo është filozofia e Krujfit, që kur zotëron topin ke më shumë mundësi të shënosh ti sesa kundërshtari. Mendoj se do të jetë një ndeshje me ritëm të lartë, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim ritmi mes dy ekipeve”. Dy skuadrat janë ndeshur për herë të fundit në 2018-2019 në Champions kur u kualifikua Barcelona, ndërsa në 2008, po në Champions, Mançester Junajtidi eliminoi katalanasit dhe fitoi titullin.

Sfidanti.al