Pogba, rebeli që mund t’i shkatërrojë ekipin Murinjos!

Lëvizja do të ishte bombastike nëse do të ndodhte. Pol Pogba, i saposhpallur kampion i botës me Francën, dëshiron të largohet nga Mançester Junajtidi, vetëm dy vjet pas transferimit prej mbi 100 milionë eurosh.

Agjenti i tij, Mino Raiola, raportohet se do të kërkojë nga drejtuesit e klubit anglez që të lejojnë largimin e francezit, ndërsa planet janë që ai të shkojë tek Barcelona ose tek Juventusi.

Mediat njoftojnë se Pogba është tepër i mërzitur në “Old Traford” për shkak të marrëdhënieve aspak të mira me trajnerin Zhoze Murinjo, i cili e ka kritikuar disa herë. Kritikat, madje, kanë qenë të shumta për mesfushorin, edhe nga analistë sportive, të cilët e akuzuan se zhvilloi një sezon të dobët në Angli dhe në Europë.

Murinjo dhe Junajtid kanë deklaruar se Pogba nuk është në listën e transferimeve, ndërsa njoftohet se klubi anglez ka hedhur poshtë një ofertë të Barcelonës, që jepte 50 milionë euro, plus dy lojtarë, Jerri Minën e Andre Gomezin.

Gjithsesi, fakti që Raiola insiston për largimin, do të thotë se vetë lojtari ka po këtë dëshirë, dhe kjo mund të rezultojë vendimtare. Është e vështirë të mbahet në ekip një lojtar që nuk do, madje mund të kthehej në “bumerang”. Flitet se Juventusi është i interesuar për kampionin e botës, që luajti në skuadrën e Serisë A, përpara sesa të kalonte tek Junajtidi.

Gjithsesi, favorit për ta marrë Pogbanë mbetet Barcelona, e cila e konsideron objektivin kryesor pas afrimit të Arturo Vidalit.

Sfidanti.al