Peruja vret veten ndaj Danimarkës, humb penalltinë dhe ndeshjen

Një padrejtësi e vërtetë, por më shumë prej fatit. Peruja bëri një nga paraqitjet më të bukura të turneut rus, por si shpërblim mori një humbje ndaj Danimarkës. Amerikanojugorët, ndryshe nga sa mendohej, ishin tepër të rrezikshëm, dhe shumë të qartë në skemën e tyre taktike, dhe shumë të vendosur për ta zbatuar atë. Krijuan raste të pastër për gol, sidomos në pjesën e parë, por patën vetëm një dobësi, nuk mundën ta dërgonin topin në rrjetë.

Europianët, prej kohësh larg nivelit të viteve 80-të apo 90-të, falenderuan fatin, sidomos në fundin e pjesës së parë, kur ishin pranë dizavantazhit. Peruvianët fituan një penallti, sërish me anë të VAR-it, që po luan rol të madh në këtë Kupë të Botës. E fituan, por nuk mundën të shënonin pasi Kueva gaboi rëndë.

Pas pushimit, energjitë e shpenzuara bënë të vetën dhe loja e amerikanojugorëve ra disi, duke i dhënë mundësi danezëve të barazpeshonin lojën. Jo vetëm kaq, por edhe që të kalonin në avantazh, me golin që do të ishte përcaktues. Autori i rrjetës ishte Jusuf Poulsen në minutën e 59-të. Fitorja bëri që Danimarka të barazohej me Francën në krye të grupit C, me nga tri pikë, ndërsa Peruja i bën shoqëri Australisë në fund.

Sfidanti.al