Diego Kosta falenderon VAR-in, por Çelsi e di çfarë ka humbur

Nuk besohet të ketë pasur njeri më të zemëruar mbrëmë sesa presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç. Miliarderi rus mendohet ta ketë ndjekur ndeshjen Portugali-Spanjë, ashtu si qindra milionë njerëz në planet, dhe sytë do t’i kenë mbetur tek një futbollist, sulmuesi i Spanjës, Diego Kosta, autor i dy golave.

Po ashtu, ish-lojtar i Çelsit. Është thuajse e sigurt se cilin njeri Abramoviç e ka urryer më shumë mbrëmë, ish-trajnerin e tij (tashmë është një “ish”, apo jo?) Antonio Konten. Ishte italiani që e largoi Kostën nga Çelsi, madje me një sms, pavarësisht se braziliano-spanjolli kishte qenë nga më të rëndësishmit për titullin e vitit 2017 në Premier Ligë.

Nëse blutë do ta kishin pasur Diego Kostën, nuk besohet ta kishin diskutuar kualifikimin për në Champions, për të mos thënë se mund të kishin luftuar për diçka më shumë. Ai shënoi dy gola ndaj Portugalisë dhe tregoi veten, ndonëse rrjeta e parë mund të ishte anuluar nëse VAR-i do të ishte përdorur siç duhet.

Sfidanti.al