Përse Guardiola nuk bën dot me Sitin, atë që bëri Notingemi apo Aston Vila?!

Një nga justifikimet e përdorur më dendur nga trajneri katalanas dhe nga shumë opinionistë është që Mançester Siti është një ekip pa traditë në Champions, pasi nuk ka mundur ta fitojë kupën e madhe në të kaluarën, ndryshe nga Reali, Milani, Bajerni, Liverpuli apo Barcelona. Me këtë logjikë, nxirren normale eliminimet e shpeshta të “Qytetarëve”, edhe kur këto kanë ndodhur nga Monako apo Lioni, Liverpuli, Totenhemi, Çelsi apo tani Reali. Vjet u arrit finalja, këtë sezon gjysmëfinalja e dytë radhazi, ndërsa në të kaluarën “mallkimi” ka qenë në çerekfinale apo edhe në turin e dytë.

Gjithsesi, historia njeh ekipe që kanë ardhur nga “hiçi” dhe kanë fituar Kupën e Kampionëve, dhe le të flasim vetëm për ata nga Anglia. Në 1977, Notingem Foresti i trajnerit Brajan Kllaf (Brian Clough) hyri për herë të parë në konkurrim pasi doli kampion i Anglisë dhe fitoi jo një, por dy kupa të kampionëve radhazi (1979, 1980). Në 1982, në finale mbërriti Aston Vila, gjithashtu pa asnjë histori në Europë, por arriti të fitonte ndaj Bajernit të madh të Mynihut. Përse Siti i Guardiolës nuk ia del kurrë, pavarësisht se ka skuadrën më të shtrenjtë në botë? Me gjasë, diçka mungon dhe ata që marrin “erë” nga futbolli thonë se është çështje karakteri, sesa për stilin, Guardiola nuk ka shok. Duket se e vetmja mënyrë për të fituar Championsin për të ishte ajo me Mesin, Ksavin dhe Iniestën.

Sfidanti.al