Gjyqi i ish-presidentit të Tiranës me klubin bardheblu është ngjarje e vjetër. Edhe vendimet e formës së prerë për t’i dhënë Metus Seferit të ndjerë është gjithashtu ndodhi e vjetër pasi kanë kaluar disa vjet. Gjithsesi, në një “shtet ligjor” si Shqipëria, ku mbretëron “pluralizmi” dhe po ndërtohet “demokracia” (si dikur socializmi), i dëmtuari që arrin madje të fitojë gjyqin, nuk arrin të marrë atë që i takon. Skandali me detyrimin e Tiranës për ish-presidentin e saj, doli edhe një herë në pah me rastin e skandalit të sekuestros konservative të llogarive të Federatës Shqiptare të Futbollit, pikërisht për shkak se ato llogari kanë mbajtur paratë e fituara nga Tirana në kupat e Europës. Duke qenë se juridikisht FSHF cilësohet si “kreditor i debitorit” (Tiranës), atëherë gjykata dhe përmbarimi duan që paratë që i takojnë familjes Seferi të shkojnë në destinacion. Po ashtu, pritet të hetohet se në çfarë llogarish FSHF i ka kaluar paratë e Tiranës, meqë vetë Tirana i ka llogaritë të bllokuara prej vitesh. Njerëz që janë në dijeni të çështjeve thonë se prej vitesh në FSHF kanë ardhur kërkesa nga gjykata lidhur me çështjen e Tiranës, ndërsa sigurojnë se në institucion ka probleme më të mëdha edhe se ky skandal, ndonëse kjo në Shqipëri nuk përbën problem dhe se Duka mund t’i fitojë gjithsesi zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Sfidanti.al