Përse Alegri mendon se Juventusi e ka për detyrë ta fitojë titullin?!

Është kohë vere, aspak periudhë pushimesh, por gjithsesi është një prag sezoni dhe zakonisht shërben jo vetëm për t’u përgatitur, por edhe për të thënë fjalë të bukura. Nuk ka gjë më të këndshme sesa të jesh futbollist apo trajner profesionist dhe të jetosh rreth një muaj pa stresin e rezultateve. Kështu edhe Masimiliano Alegri, që punon me Juventusin e tij në SHBA, ndërsa në Las Vegas luan ndaj Çivasit, miqësoren e parë të verës. Fjalët e bukura të Alegrit kanë të bëjnë me titullin. “Vjet përfunduam pa asnjë trofe për herë të parë në 10 vite, – thotë ai, – ndaj edhe kemi detyrim që këtë sezon të fitojmë titullin”. Nuk dihet nëse do t’ia dalë pasi në Itali japin Interin favorit, por Alegri ka besim. “Juventusi gjithmonë hyn në garë për maksimumin, – thotë ai, – këtë vit na kanë ardhur lojtarë të rëndësishëm, kemi edhe të rinj. Pastaj është viti i dytë, pra e kemi ndërtuar një bazë të mirë”.

Sfidanti.al