Përralla vazhdon, Championsi është për Atalantën, jo për Murinjon!

Në njërën sfidë ishte një njeri i mësuar me këtë kompeticion të paktën që nga viti 2003, por nuk ishte mbrëmja e tij. Zhoze Murinjo nuk e kishte radhën për të festuar, përkundrazi u mund, ndërsa “dasma” ishte e gjitha në stadiumin “San Siro”. Jo për Interin apo për Milanin, por për një “hirushe” që kishte ardhur për të bujtur, pasi nuk luante dot në fushën e saj. Atalanta i hapi fuqishëm “katërkanatësh”, dyert e Championsit, me fitoren 4-1 ndaj Valencias, duke marrë rolin e favoritit për të qenë në çerekfinale.Tifozët shqiptarë u mërzitën që Berat Gjimshiti nuk arriti të luante, pasi ndjeu një dëmtim mu kur po fillonte ndeshja, por publiku bergamask “e dogji” Milanon. Golat u shënuan nga Hatebër, Iliçiç, Frojler dhe sërish Hatebër. Pas këtij bombardimi, nga minuta e 16-të në të 63-të, spanjollët shkurtuan diferencën dhe i dhanë vetes sado pak shpresë, me golin e shënuar nga rusi Denis Çerishev në 66’. Ndeshja në “Mestaja” do të jetë si gjithnjë e frikshme, por rezultati 4-1 i jep besim Atalantën. Më shumë sesa rezultati, besimi vjen nga forma e jashtëzakonshme e skuadrës së drejtuar nga trajneri Gasperini, që shënon prej 16 ndeshjesh radhazi në Serinë A, e në Champions. Nuk duhet harruar, gjithsesi, se Valencia pati shumë mungesa, plot 6, dhe kjo ndikoi. Në ndeshjen tjetër, Totenhemi i Murinjos i ndjeu mungesat (Kejn, Son), dhe u mund 0-1 nga Lajpcigu në Londër, edhe pse dueli mbetet sërish i hapur.

Sfidanti.al