Ishte një sekret i hapur, një e fshehtë që dihej nga të gjithë, por sidoqoftë emocionet janë shumë të forta pikërisht tani, fare pak minuta pasi Reali i Madridit u shpall kampion i Spanjës. Skuadra e trajnerit Zinedin Zidan arriti fitoren e 10-të radhazi, 2-1 në “Miniestadi Alfredo Di Stefano”, duke mos pasur nevojë të dinte rezultatin e Barcelonës, për të mësuar fatin e vet. Me 86 pikë, “të bardhët” fituan titullin e 34-ët në histori, të dytin që nga viti 2017, dhe duket se po i japin fund hegjemonisë katalanase dhe epokës së Lionel Mesit.
Barcelona, ndërkaq, u mund në “Kamp Nou”, 1-2 ndaj dhe mbeti në 79 pikë. Një dorëzim i plotë për trajnerin Kike Setien, por sidomos për një klub që u bë gazi i gjithë botës këtë sezon, padyshim për faj të drejtuesve më të lartë, sepse nuk thonë kot se “peshku qelbet nga koka”. E kundërta në Madrid, ku presidenti Florentino Perez nuk po bën më asnjë gabim, ndërsa suksesin më të madh e pati kur bindi Zidanin të kthehej në mars 2019. Për madrilenët të dy golat ndaj Vijarrealit u shënuan nga Karim Benzema, që tani ka vetëm dy gola më pak se Mesi në garën për Këpucën e Artë në La Liga. Mesi realizoi për Barcelonën, gjithashtu.
Zidan arriti trofeun e dytë në La Liga, ndërsa mbetet i paharruar për 3 titujt radhazi në Champions. Reali ka 34 tituj, 19 Kupa të Mbretit, 11 Superkupa të Spanjës, 13 Champions, 2 Kupa UEFA, 4 Superkupa të Europës, 3 Kupa Interkontinentale, 4 Kupa të Botës për klubet, gjithsej 92 trofe të rëndësishëm në Spanjë, në Europë dhe në të gjithë botën.
Sfidanti.al