Le ta themi që në fillim se u ndihmua nga mungesa e ndërhyrjes së VAR-it kur rezultati ishte 1-0. Interi me shumë mundësi do të kishte fituar gjithsesi, por futbolli shpesh përcaktohet nga episodet dhe në momentin kur duhej, VAR-i nuk veproi për t’i dhënë një penallti të qartë SPAL-it, që në fund u mposht 0-4. Thënë kjo, duhet pohuar se skuadra e Antonio Kontes po duket tjetër këto ditë, edhe pse Romelu Lukaku nuk luajti. Në vend të tij, Aleksis Sançez shkëlqeu me asist e me gol, e rrjetat e tjera u shënuan nga Kandreva, Biragi e Galiardini. Të dyja skuadrat goditën shtyllën, dhe milanezët mund të kishin shënuar më shumë.
Me këtë sukses, zikaltërit janë të vetëm në vendin e dytë të Serisë A me 71 pikë, vetëm 6 pikë prapa Juventusit, ndërsa janë edhe 15 pikë në lojë. Fitorja e titullit duket tepër e vështirë, por të paktën emocionet janë aty. Duke lënë mënjanë Atalantën, Interi kaloi Juventusin e Lacion për numrin e golave të shënuar, 72. Shkëlqimin më të madh e pati Aleksis Sançez, aq sa drejtori sportiv, Bepe Marota pranoi se “po flasim për një lojtar të madh, do të bisedojmë me Konten për të ardhmen e tij”.
Sfidanti.al