Për “shkak” të Shakirës, luftë mes Pikesë dhe Espanjolit

Harroni për një moment Gerard Pikenë, çështjen e Katalonjës dhe tifozët e kombëtares së Spanjës. Afrohuni më shumë me “shtëpinë” e tij, me qytetin e Barcelonës, dhe do të gjeni një tjetër konflikt të ashpër. Ashtu si lufta, apo gjakmarrja, edhe në sherrin Pike-Espanjol nuk është e mundur të gjendet se kush është fajtori, por gjakrat janë nxehur pasi mbrojtësi katalanas i bëri me shenjë tifozëve kundërshtarë të heshtnin pasi barazoi rezultatin në derbin e qytetit në La Liga.

“Ishte gjëja më e vogël që mund të bëja, – u mbrojt Pikeja nga kritikat, – pasi ata tifozë vazhdimisht më kanë ofenduar mua dhe familjen time, ndërsa nuk janë ndëshkuar nga klubi. Ndoshta e teprova, pasi Espanjoli ka shumë tifozë të vërtetë dhe të denjë”. Në 2016, disa tifozë espanjolas nxorrën një parullë në stadium ku shkruhej “Shakira është e të gjithëve” (dashnore kolektive, do të thuhej sipas batutës në filmin shqiptar). Klubi hodhi poshtë fjalët e Pikesë duke u shprehur se ata tifozë janë ndëshkuar.

Ka edhe diçka tjetër në armiqësinë Pike-Espanjol. Mbrojtësi u shpreh në një intervistë se “ata janë nga Kornelia (emri i stadiumit ku luan ndeshjet Espanjoli), dhe ky është një fakt gjeografik, një e vërtetë, jo një ofendim”. Sidoqoftë, besohet se Pike e ka thënë këtë shprehje për të lënë të nënkuptohet se Espanjoli nuk i përket Barcelonës apo Katalonjës. Kjo, me shumë gjasa, pasi klubi në fjalë nuk deshi të mbante krah në kohën e referendumit për pavarësi të Katalonjës.

Sfidanti.al