Tashmë janë 18 fitore radhazi, start edhe më i mirë i Premier Ligës dhe 15 pikë larg vendit të dytë. Nuk mund të mbyllej më mirë viti 2017 nga Mançester Siti i Pep Guardiolës. Skuadra kryesuese e ligës angleze triumfoi 1-0 në fushën e Njukasëllit, në një stadium jo edhe aq të lehtë për t’u “pushtuar” si “Sent Xhejmsis Park”, falë golit të Rahim Stërlingut në minutën e 31-të.
Dëmtimi i kapitenit Vinsent Kompani ishte një lajm i keq për trajnerin katalans, por jo aq sa për t’i prishur festën. Pep zgjodhi Kun Agueron sërish si sulmues titullar, ndoshta në përpjekje për ta bindur që të mos largohej, ndërsa talenti brazilian, Gabriel Zhezus mund të presë disi. Nuk qe, sidoqoftë, edhe aq e lehtë, pasi sa më shumë shtohen fitoret, aq më shumë rritet rreziku i vetëkënaqësisë dhe mundësisë për të gabuar. Në pjesën e dytë në Njukasëll, mbrojtja e Sitit ishte disi nervoze dhe skuadra e Rafa Benitezit nuk ishte larg marrjes së barazimit.
Kjo nuk ndodhi dhe Siti ka tani 58 pikë në 20 ndeshje, me vetëm një takim që nuk e ka fituar. Diferenca është e frikshme me 61 gola të shënuar e vetëm 12 të pësuar dhe me 15 pikë diferencë me ndjekësin më të afërt, Mançester Junajtidin.
Sfidanti.al