Pasi “bëri copë” Konten, Kasano i kthehet CR7-ës: Një egoist!

Në fushën e lojës ka qenë i shkëlqyer, por e dogji veten me sjelljen aspak profesioniste, veçse si opinionist vlerësohet si mjaft “thumbues”. Antonio Kasano mund të mos ketë arritur në karrierë atë që duhej të arrinte, por goja i punon shumë mirë për të kritikuar të tjerët. Më herët, ish-ylli i Romës dhe i Realit të Madridit sulmoi trajnerin e Interit, Antonio Konte se nuk po zhvillon sezon të madh edhe pse ka një skuadër shumë të fortë. Interi për momentin është në krye të Serisë A dhe ka shans të fitojë titullin e parë që nga koha e Zhoze Murinjos.

Kasano tashmë i është “përveshur” Kristiano Ronaldos, duke e quajtur përgjegjës për problemet që po has Juventusi këtë sezon. “E kam thënë gjithnjë se nuk do të jetë e lehtë për Andrea Pirlon që të punojë me të, – tha Kasano, – sepse Ronaldo është një fenomen që shënon shumë gola. Futbolli që kërkon Pirlo është ndryshe, ndërsa Ronaldo nuk jeton për ndeshjen, por për golat e tij. Ai gjithnjë ka qenë paksa egoist, nuk do të dijë nëse të tjerët do të shënojnë gola edhe ata. Situata po bëhet edhe më e keqe”.

Sfidanti.al