Pasardhësi i Rejës? “Gjuetia” ka nisur prej kohësh dhe nuk do të flasë (sërish) shqip!

Dashuria me italianët duket se do të përfundojë. Edi Reja mund të jetë i fundmi trajner nga Apeninet në kombëtaren shqiptare, të paktën në një të ardhme të afërt, ndërsa në stol pritet të ulet sërish një i huaj. Pas sukseseve të mëdha me Xhani De Biazin për rreth 7 vjet, dhe pas dështimit spektakolar me Kristian Panuçin, në Federatën Shqiptare të Futbollit po mendojnë për një ndryshim. Burime pranë saj pohojnë se gjasat janë që trajneri i ardhshëm kuqezi të jetë nga Kroacia. Këto burime theksojnë se Reja ka kontratë deri në nëntor dhe se deri në atë kohë nuk pritet të zyrtarizohet askush tjetër. Me gjasë, ashtu siç ndodhi me De Biazin, emërimi i teknikut dhe prezantimi i tij duhet të ndodhin në dhjetor.

Besohet se trajneri kroat ka pasur karrierë në Serinë A, ndonëse burimet pranë presidentit Duka nuk japin ndonjë emër. Për momentin, ka disa trajnerë kroatë aktivë që kanë luajtur në elitën italiane si Ivan Javorçiç që drejton Venecian, Krunoslav Jurçiç që sot është tek Al Nasri e që ka drejtuar gjithashtu Dinamon e Zagrebit dhe Arabinë Saudite, si dhe Robert Kovaç, ish-ylli i kombëtares kroate, që ka punuar si ndihmës i vëllait të tij tek Volfsburgu, Monako, Bajerni dhe Frankfurti. Për stolin kuqezi janë përmendur edhe teknikë shqiptarë si Besnik Hasi, me karrierë në Belgjikë, Poloni dhe Lindjen e Mesme apo edhe Ernest Gjoka, që ka dalë kampion në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, dhe që sapo ka firmosur në Arabinë Saudite.

Sfidanti.al