Pas humbjes me Bajernin, Inzagi “masakrohet” nga tifozët për Asllanin dhe Barelën!

Trajneri i Interit u detyrua të zëvenësonte të 3 mbrojtësit në skuadrën e tij që luajti si përherë me skemën 3-5-2! Bastoni, Shkriniar dhe De Vraj dolën nga fusha e lojës, ashtu si edhe Çalhanoglu dhe Xheko, por nuk pati vend sërish për Kristjan Asllanin dhe as për Nikolo Barelën, që këtë herë u zgjodh ta niste nga stoli. Tifozët zikaltër e sulmuan ashpër teknikun e tyre, Simone Inzagi, që nuk pati guximin për të aktivizuar asnjërin prej dy mesfushorëve. Barela është përherë titullar e ndoshta në pjesën e dytë mund të kishte bërë diçka, ndërsa për Asllanin, Inzagi nuk po guxon. Pak a shumë si situata e Brojës me Tuhelin tek Çelsi. Tashmë, Tuhel u largua nga Blutë e Londrës, por Interi nuk e ka marrë një vendim të tillë për Inzagin. “Duhej të ishim të përsosur për të përballuar Bajernin, – tha ai, – por, nuk ishim. Kundërshtari është ndër ekipet më të fortë në Europë”. Gjithsesi, Interi duket se ka bërë hapa prapa, pasi vjet luajti më mirë ndaj Realit, e po ashtu ndaj Liverpulit, dy ekipeve që janë finalistë të Championsit.

Sfidanti.al